
Ambasadori dhe miku i njohur i Kosovës, William Walker i ftuar sonte si musafir special në emisionin “Politiko”, ka rikujtuar momentet e para kur u njoftua për ngjarjen e Reçakut, duke zbuluar detaje nga raportimet zyrtare që ngritën dyshime serioze, shkruan Gazeta 10.
Walker tha se, sipas marrëveshjes mes OSBE-së dhe qeverisë së atëhershme të Serbisë, çdo angazhim ushtarak i forcave jugosllave duhej të raportohej tek misioni verifikues.
“Na u tha se gjenerali jugosllav kishte njoftuar zëvendësin tim britanik për një betejë në Reçak. Raporti zyrtar ishte se ishin angazhuar njësi të UÇK-së dhe se gjatë asaj përplasjeje ishin vrarë 5 apo 6 kosovarë, pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa nuk kishte asnjë viktimë nga forcat jugosllave”, ka treguar Walker.
Sipas tij, ky raport nuk ishte bindës.
“Këtu kishte diçka që nuk shkonte. Po flitej për një betejë, por vetëm njëra palë kishte viktima. Kjo nuk përputhej”, theksoi Walker.
Ai shtoi se pikërisht këto mospërputhje e shtynë atë të kërkonte që të shkohej në terren.
“Gjenerali, si ushtar profesionist, e tha qartë: ‘Diçka nuk është duke u përputhur këtu’. Dhe unë thashë: eja të shkojmë në Reçak. Kështu kam dëgjuar për herë të parë për Reçakun”, përfundoi Walker./Gazeta 10
Deklarata e plotë: