
Kryetari aktual, njëherësh kandidati për një mandat të ri në Komuna e Prizrenit nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj, ka prezantuar planet për zhvillimin e infrastrukturës sportive në qytet.
Ai tha se lokacioni pranë pallatit “Sezai Surroi”, i cili tashmë është rinovuar nga brenda, do të shndërrohet në një qendër moderne për sportistët dhe qytetarët.
“Këto konstruksione që shihen janë për terrene të tenisit që në bashkëpunim me Federata e Tenisit e Kosovës do të përfundohen së shpejti. Pak më mbrapa është lokacioni i caktuar për terrene të reja të basketbollit. Në vitet në vijim, në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve, do të bëjmë pishinën gjysmë olimpike,” deklaroi Totaj.
Ai shtoi se këto investime do ta kthejnë Prizrenin në një pol të rëndësishëm të sportit dhe rekreacionit në vend. /Gazeta10